“I kërkova 60 mijë lekë që m’i kishte borxh”, zbardhet dëshmia e autorit që vrau dhe hodhi në kanal fqinjën

21/01/2022 18:06
Foto ilustruese

Fatime Suli u gjet e vrarë këtë mëngjes në një kanal në Kuçovë, ndërsa disa orë më vonë, i dyshuari Fetah Marra ka pranuar autorësinë e krimit.

Burime të policisë së Kuçovës që zbardhën brenda disa orësh krimin, thanë për Top Channel se Marra ka pranuar se e ka mbytur 64-vjeçaren, me të cilën dyshohet se ka pasur dhe marrëdhënie intime, pasi ka refuzuar t’i kthejë një borxh monetar, që ia kishte marrë para dy vitesh.

I kërkova borxhin prej 60.000 lekësh, mu përgjigj nuk ta jap, më tregoi bërrylin, më qëlloi me gurë dhe pastaj e mbyta me krah”, ka rrëfyer ai përballë efektivëve.

Autori i dyshuar, Fetah Marra

Burime për gazetaren Anila Hoxha tregojnë se kanë qenë banorët, që kanë parë 58-vjeçarin pranë vendngjarjes. Më vonë, ai është kapur nga policia në stanin ku punonte si bari.

Dhe nga ekzaminimi i bërë në morg, Fatime Suli rezulton se është mbytur dhe trupi i pajetë është hedhur në afërsi të shtratit të lumit Devoll. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel