“21 Janari”/ Xhaxhai i Aleks Nikës: Rama të influencojë që dosja t’i kalojë SPAK-ut, vetëm atëherë zgjidhet kjo çështje!

21/01/2022 11:27
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës (i vrarë në 21 janar)

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës (i vrarë në protestën e 21 janarit, 11 vite më parë) në një pronocim për gazetarin e Top Channel, Muhamed veliu , kërkon që çështja t’i kalojë SPAK.

Ai ka një apel për kryeministrin Edi Rama, atë se ai duhet të influencojë që kjo çështje të kalojë në duart e SPAK, pasi sipas tij vetëm SPAK mund ta zgjidhë pas 11 vitesh që familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.

“Qeveria ndonëse nuk merret me hetimin, merret prokuroria, duhet ta nxisë prokurorinë dhe drejtësinë, nëpërmjet ministrisë së Brendshme që në bashkëpunim me prokurorinë , çështja t’i kalojë SPAK, kjo është arsyeja që bëj kritikë , është SPAK-u kompetent për hetimin e kësaj çështje dhe jo prokuroria e Tiranës që ka 11 vjet që mban dosjen në sirtar, pa kryer veprime dhe refuzon të na japë informacione. Megjithëse është e detyruar që të na informojë sepse ne jemi viktima dhe na njihen të drejtat sipas procedurës së re.”, tha ai për Top Channel.

Muhamed Veliu: Mendoni se socialistët janë larguar deri diku nga kauza për drejtësi për ju?

Mark Nika: Fakti që nuk flitet më për 21 janarin, arrijmë në përfundimin se mund të ketë një amnisti politike për shkak të zhvillimeve që kalon Shqipëria për tu pranuar në bisedimet në Këshillin e Europës.

Muhamed Veliu: Çfarë do t’i kërkoni Edi Ramës sot?

Mark Nika: Ne Ramës do t’i kërkojmë që të influencojë që kjo dosje të shkojë në SPAK, vetëm ai e zgjidh këtë çështje, presim edhe vendimin e gjykatës së Strasburgut që të japë një vendim që të detyrojë SPAK ta hetojë këtë çështje.

Kujtojmë se protesta e 21 janarit 2011 u mbyll me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.

Sot mbushen 11 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë viktimat e 21 janarit. Familjarët e tyre akoma sot presin drejtësi. Vitin e kaluar Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes “21 Janari”. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për njërin prej të vrarëve në bulevard, Aleks Nikën, në 2020.

Top Channel