Parandalohet ngjarja kriminale/ Kërcënoi me kallashnikov 39-vjeçarin, kapet autori

20/01/2022 21:40

Një 36-vjeçar i dënuar më parë për vjedhje është arrestuar, pasi kërcënoi me armë një tjetër.

Qytetari banues në Paskuqan 2 gjatë natës i kishte dëmtuar mjetin 39-vjeçarit dhe më pas e ka kërcënuar me kallashnikov.

Nuk dihet ende shkaku i kërcënimit, ndërsa gjatë kontrollit të banesës së autorit u gjet arma.

“Kapet dhe vihet në pranga një shtetas, i dënuar më parë për vjedhje me anë të mashtrimit. Sekuestrohet arma e zjarrit tip kallashnikov, të cilën e mbante pa leje në banesë.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit së në lagjen Paskuqan Nr. 2, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri shtetasin M. D., 39 vjeç, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Sh. K., 36 vjeç, banues në Paskuqan 2, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Ky shtetas, gjatë natës, i ka dëmtuar mjetin dhe më pas ditën e sotme, e ka kanosur me armë zjarri kallashnikov shtetasin M. D., banues në Paskuqan 2. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov”, sipas policisë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Arma e sekuestruar

Top Channel