Situata epidemiologjike në Kosovë paraqitet shqetësuese ç’ka detyroi Komitetin për Koordinim dhe Vlerësimin e gjendjes të dalë me masa të reja kufizuese.
Pas takimit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se janë duke biseduar për masa të reja kufizuese, ku po shqyrtohet mbyllja e lokaleve në ora 22:00, transmeton Telegrafi.
“Do të ketë ndryshim të masave. Do të jenë në balancim me mbajtjen e shkollave hapur, ekonomisë hapur. Secili duhet të vaksinohet, kemi vaksina mjaftueshëm, është më rëndësi që të gjithë të vaksinohemi. Është shumë e mundshme që lokalet të mbyllen në ora 22:00. Ne sot do t’i dërgojmë në Qeveri propozimet”, theksoi ministri Latifi.
Për situatën me Covid 9 ka folur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila sqaroi se ditët e fundit disa shkolla në vend kanë kaluar në skenarin C të mësimit, atë ‘online’, siç shpjegojnë mediet vendase. Ajo tha se janë të interesuar që shkollat të mbahen të hapura. Të mërkurën, në Kosovë u konfirmuan 2050 raste të reja me koronavirus. Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti Covid, duke njoftuar se varianti “Omicron” i koronavirusit tashmë është kthyer në variantin dominues në vend.
Në Kosovë, janë ende në fuqi masat e marra gjatë vitit të kaluar, sipas të cilave pas orës 24:00 deri në ora 05:00 hyn në fuqi ora policore, ndërsa, që nga 3 janari në Kosovë mund të hyjnë vetëm qytetarët që kanë marrë dy doza vaksine kundër kësaj sëmundjeje.
Top Channel