Kuvendi i Kosovës diskuton për çmimin e energjisë elektrike

20/01/2022 11:13

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të enjten, 20 janar, diskutimet për çmimin e energjisë elektrike, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë për rritjen e tij.

Deputetet e partive opozitare kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim të situatës me energji elektrike dhe kanë kundërshtuar propozimet për rritje të çmimit të energjisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kërkuar nga Qeveria që të mos procedohet tutje me çmimet e propozuara nga ZRRE, pasi që pasojat do të jenë të mëdha.

“Si grup parlamentar kërkojmë të kthejmë këtë çështje në pikën zero”, tha Shala.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se për situatën e krijuar edhe me çështjen e energjisë elektrike fajtore janë qeveritë e kaluara.

“Nuk është Lëvizja Vetëvendosje që solli këtë gjendje, janë veprimet apo mosveprimet e partive që ishin në pushtet, të cilat e sollën faturën që sot po ballafaqohemi të gjithë”, tha Kusari Lla

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për rritja e çmimit të energjisë prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.

Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë.

Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.

Që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi.

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat – edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet – nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.

Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të fillojnë nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre pritet të bëhet në muajin mars të vitit 2023./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA