Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri, pasi i ftohti polar pritet të mbërthejë vendin tonë.

Meteorologët raportojnë se ditët në vazhdim temperaturat në Shqipëri mund të të zbresin deri në -18 gradë Celsius në zona si Bulqiza apo Puka.

Ndërsa termometri në Tiranë pritet të zbresë deri në -8 gradë Celsius, afër zeros edhe në zonat bregdetare si Durrësi, ndërsa në Vlorë priten temperatura deri në -1 gradë Celcius. Kulmi i temperaturave të ulëta pritet të jetë ditën e hënë.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre në zona të thella, të ndjekin këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e tyre për të shmangur situata të rënda.

Kujtojmë se Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi sot se duke filluar nga dita e hënë deri të mërkurën do të mbyllen shkollat në vend pasi parashikohet që moti të arrijë temperatura ekstreme të ftohti.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius, thuhet në njoftimin e ministres.

Ministrja shton, se nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.

Top Channel