Pas atentatit të dështuar ndaj shtetasit Lulzim Masha, administrator i një shkolle private dhe të njohur në Tiranë, Prokuroria e ka regjistruar hetimin për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë.

Mes shumë dëshmive të mbledhura nga hetuesit në dosje përmendet edhe rrëfimi i 63-vjeçarit Masha i cili këmbëngul se as ai dhe as familjarët nuk kanë probleme.

Megjithatë i pyetur mbi identitetin e të riut, ai e ka përshkruar atë se është i njëjti me një person që kishte parë se po e ndiqte prej datës 24 dhjetor.  Ai mbante kapele veshur dhe një palë xhinse dhe ishte me mjekër, ka përshkruar Lulzim Masha, duke shtuar se si ditën e ngjarjes i panjohuri qëlloi me armë zjarri në drejtim të mjetit me të cilin po udhëtonte drejt vendit të punës.

Policia ka pyetur edhe dy persona që gjendeshin pranë perimetrit të atentatit , si dhe ju ka marrë atyre faktorët plotësues të qitjes.

Ndonëse si nëntë dëshmitarë të tjerë të pyetur edhe këta, dy shtetas kanë insistuar se gjendeshin rastësisht dhe nuk kishin parë asgjë, përveç kishin dëgjuar të shtënat.

I vëllai i Lulzim Mashës sipas grupit të hetimit është personi i radhës që është marrë në pyetje pasi rezulton një person  i dënuar më herët për vrasje.

Por edhe ky person ka kundërshtuar që e kaluara e tij të ketë pasur ndikim në atentatin e dështuar ndaj të vëllait.

Burimet e Top Channel theksojnë se kanë administruar pamjet e disa kamerave të sigurisë , ndërkohë po verifikohen disa pista hetimore që mund të çojnë tek autori, i cili qëlloi me tre plumba drejt mjetit që po drejtonte 63-vjeçari.

Top Channel