Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi mëngjesin e kësaj të enjte ka vizituar Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Aty ai informua rreth organizimit të punës, kjo edhe pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19 dhe gatishmërisë së stafit shëndetësor për t’u ballafaquar me rritjen e rasteve.
Sipas një njoftimi nga MSh thuhet se ai bashkë me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi biseduan me ekipin kujdestar për pacientët që po trajtohen në këtë klinik.
“Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi vizitoi sot në mëngjes Klinikën Infektive në QKUK ku me ekipin kujdestar të 24 orëshit të fundit bisedoi për pacientët që po trajtohen aty. Ministri falënderoi ekipet për punën që po bëjnë, dhe së bashku edhe me drejtorin e SHSKUK, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e Klinikës Infektive Arben Vishaj biseduan për organizimin e punës në frymën e rritjes së rasteve me Covid-19 dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar në rast të rritjes së rasteve. Ai u informua për numrin e rasteve që kanë marrë trajtim gjatë 24 orëshit të fundit dhe ecurinë e tyre”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Top Channel