Vettingu i gjyqtares së “TikTok”/ Dy ditë më parë KLGJ pezulloi 6 muaj gjyqtaren, me marrëveshje

19/01/2022 19:49

Në seancën e vetting-ut ndaj saj, gjyqtarja e Elbasanit Enkelejda Kapedani, nuk i ka kursyer akuzat ndaj prokurorisë së këtij qyteti që e konsideroi si pjesë të skenarit edhe në episodin e shpërndarjes së videove në TikTok.

Unë nuk kam lejuar kompromise, këmbënguli gjyqtarja e pezulluar për 6 muaj për shkak të videove, dhe nuk kam lejuar të përdorem  nga prokurorët për të mbuluar shkeljet dhe veprimet e tyre. Pyetja retorike që kapedani ia drejtoi KPK, lidhet me hetimin ndaj Ardian Çapjas dhe Florenc Çapjas që sipas saj u dorëzuan për vrasje nga prokuroria pa kryer asnjë veprim hetimor. Ishin detyrat që ju lashë unë prokurorëve që sollën arrestimin e tyre si porositës të vrasjes së dyfishtë këmbënguli gjyqtarja.

Dy ditë më parë, KLGJ e pezulloi për 6 muaj gjyqtaren sipas një marrëveshjeje të pranuar nga palët. Por para vetting-ut, Kapedani kujtoi se sidoqoftë, hetimi nuk zbuloi prej nga ku dolën videot e saj personale.

E kontrolluar për të treja kriteret, gjyqtarja replikoi për pesë denoncimet e kryera që sipas saj janë pjesë e së njëjtës dorë, përfshi edhe fotografimin e bashkëjetuesit. Sa i takon blerjes së një kamioni nga ky i fundit me vlerën e gati 900 mijë lekë dhe më pas shitjen prej 32 mijë euro, gjyqtarja kujtoi deklaratën e një vëzhguesi të ONM-së që në një rast të ngjashëm ka pohuar “njëherë në jetë ndodh të blesh lirë e të shesësh shtrenjtë”.

Top Channel