SPAK lëshon 25 urdhër arreste, si funksiononte trafiku i emigrantëve nga Shqipëria drejt BE: 5-10 mijë euro për person

19/01/2022 10:05

Një operacion i zhvilluar në Shqipëri, Greqi dhe Turqi ka zbuluar se si funksiononte aktiviteti kriminal i kontrabandimit të personave të ndryshëm.

SPAK ka lëshuar 25 urdhër arreste për persona të përfshirë në trafikun e emigrantëve nga Lindja. 18 prej tyre janë shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Gjatë hetimeve të kryera është dokumentuar fakti se pjestarët e 4 (katër) grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre aktivitetin kriminal (2 grupe në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi) të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së.

Pjestarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1120 emigrantëve.

Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar 7 (shtatë) episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Hetimet dhe operacioni janë zhvilluar midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shqipëri; Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali; si dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL.

Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtetet pjesë të skuadrës dhe në disa shtete të tjera.

Në këtë kontekst theksohet gjithashtu kontributi dhe ndihma e dhënë në hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore (JIT) nga shërbimet e Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë Tiranë të Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, si dhe nga Projekti i Bashkimit Europian “Countering Serious Crime in the Western Balkans – CSCWB IPA 2019”.

Top Channel