Protesta e 8 janarit/ Komisioni i Rithemelimit kallëzon Bashën dhe Bardhin

19/01/2022 14:30

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal ndaj kryedemokratit Lulzim Basha dhe sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhit. Arsyeja e kallëzimit lidhet me protestën e 8 Janarit, të thirrur nga ish lideri historik i PD, Sali Berisha.

Mbështetësit e ish-kryeministrit akuzojnë Bashën dhe Bardhin për shkatërrim prone, përdorim të lëndëve kimike në mënyrë të paautorizuar dhe përdorim dhune.

Protesta e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha përfundoi me një sulm të dhunshëm ndaj selisë së kësaj partie, ku dyer e dritare u thyen dhe u shkatërruan e po ashtu dhe mjediset e brendshme.

Ndërsa për përkrahësit e zotit Basha ka dyshime për shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe shpërthyese, gjatë përpjekjeve për të sprapsur protestuesist që kërkonin të hynin në godinë.

Protesta e 8 janarit kishte si objektiv marrjen nën kontroll të selisë së Partisë Demokratike nga ana e zotit Berisha dhe mbështetësve të tij.

Dhuna u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.

 

Top Channel