Gjykata e Tiranës të martën dënoi Partinë Socialiste të Shqipërisë për shfrytëzimin e imazhit të një të mituri pa autorizimin e prindërve të tij për ta përdorur si dekor i çeljes së fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 2019-ës në mitingun e zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Lajmi është konfirmuar nga aktivisti Besjan Pesha në rrjetin social Facebook, i cili tregon se në vitin 2019, Partia Socialiste përdori një imazh të djalit të tij, marrë pa leje nga faqja personale në Facebook, për ta përdorur si dekor në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore.
Në rrëfimin e tij të shkurtër, Pesha thekson se pasi vuri re imazhin e djalit të tij, vendosi ta çojë çështjen menjëherë në gjykatë, ndërsa sot kjo e fundit mori vendimin që Partia Socialiste të dëmshpërblejë djalin dhe ata si prindër të tij, duke e detyruar subjektin politik në fjalë të kërkojë ndjesë dhe të heqë imazhet e paautorizuar nga rrjetet sociale.
Ai e konsideron këtë vendim një fitore simbolike, duke theksuar më tej se merita i takon avokatit Dorian Matlija për profesionalizmin e treguar dhe sigurisht gjykatësit të çështjes për dhënien e vendimit.
“Uroj të kem vendosur një precedent, i cili të përdoret nga politika dhe qytetarët, duke i lënë fëmijët mënjanë në lojën me topa balte të mejhanes sonë politike”, shkruan Pesha.
Një ditë pasi kishte paralajmëruar se do të ndiqte rrugën ligjore për përdorimin e imazhit të djalit të tij të mitur në fushatën e PS-së për zgjedhjet vendore, aktivisti Pesha iu drejtua me anë të një letre edhe Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Në letrën e dërguar, Pesha theksonte se ndihej i revoltuar dhe i fyer që foto e djalit të tij, pa asnjë lloj autorizimi nga prindërit, përfundoi në ekranet gjigante në sheshin “Nënë Tereza”, si edhe për rrjedhojë në të gjitha mediat audiovizive shqiptare, rrjetin social Facebook, si pjesë e albumit të publikuar nga kryeministri Edi Rama, apo portalet e ndryshme të cilat kanë pasqyruar këtë aktivitet të Partisë Socialiste.
Në vitin 2019, Partia Socialiste zhvilloi një miting në kuadër të Bashkisë që Duam dhe gjatë kohës që fliste Rama në ekranet pas tij shfaqeshin foto të ndryshme. Një prej fotove që u shfaq ishte dhe djali i Besjan Peshës, Daris Pesha.
Top Channel