Eksportet e mallrave e mbyllën vitin e kaluar me një rritje të fortë, pas goditjes që morën gjatë vitit pandemik duke rekuperuar humbjet me shpejtësi.

Sipas të dhënave të Instat, vlera e eksporteve në 2021 arriti në 368.7 miliardë lekë, gati 795 milionë euro më shumë se viti paraardhës, e duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës, kur arrinin në 298.7 miliardë lekë.

Të gjitha grupet thuajse kanë parë zgjerim të eksporteve, ku rritjen më të fortë e kanë parë materialet e ndërtimit e metalet, duke u dyfishuar në raport me 2020ën si dhe grupi i mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë elektrike.

Tekstilet e këpucët nga ana tjetër po rimëkëmben më ngadalë pasi sipas Instat me gjithë përmirësimin nuk arritën dot të kapin nivelet e vitit 2019. Përgjatë vitit 2021 fasonët eksportuan drejt vendeve partnere 112.4 miliardë lekë mallra, gati 47.5 milionë euro më pak se në 2019-ën.

Zgjerim kanë parë edhe eksportet e makinerive pajisjeve si dhe produktet ushqimore, megjithatë ritmet e rritjes për këto dy grupe janë ngadalësuar krahasuar me vitin 2020.

Zgjerim të fortë vitin e kaluar kanë parë edhe importet e mallrave, pasi vlera e tyre sipas Instat arriti në gati 801 miliardë lekë, duke bërë që deficiti tregtar të thellohet më tej në 432 miliardë lekë në fund të 2021.

Top Channel