Instituti i Statistikave i Shqipërisë publikoi të dhënat për tregtinë e jashtme, ku për vitin e kaluar vihet re një rritje të eksporteve me Kosovën.
Sipas INSTAT, gjatë vitit 2021 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia (26,1 %), Kosova (43,6 %) dhe Spanja (42,0 %).
Sipas grupit të mallrave, eksportët drejt Kosovës janë rritur në ushqim, pije duhan, minerale, lëndë djegëse, energji elektrike, produkte kimike dhe plastike, lëkurë dhe artikuj prej lëkure, prodhime druri dhe letre, tekstile dhe këpucë, materiale ndërtimi dhe metale, makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (14,7 %) dhe Rusia (49,3 %).
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë, për vitin 2021, me vendet e BE-së zënë 60% të gjithë tregtisë.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, në periudhën 2021-shin, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,4 % të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë Italia me 29,9 %, Turqia me 7,8 %, Greqia me 7,3 % dhe Gjermania me 6,4 %.
Gjatë këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia (27,9 %) dhe Turqia (48,6 %), shkruan Kosova Press.
Top Channel