Presidenti Turqisë Rexhep Taip Erdogan e mbajti premtimin.
Shkoi personalisht në Laç për ti dorëzuar bashkë me kryeministrin Edi Rama, në mënyrë simbolike çelësat e banesave të reja katër familjeve kurbinase, të cilat do të nisin të jetojnë në kompleksin me 522 banesa, dhuratë e Turqisë me vlerë 42 milion euro.
Kryeministri Edi Rama e quajti një ditë e veçantë dhe rikujtoi takimin e parë me Erdogan atëherë kryeministër.
“Me thënë të drejtën, edhe kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë, më shikonte, por nuk buzëqeshte. Unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më thotë “Dëgjo këtu, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time, shqiptarët janë në zemrën e popullit turk. Unë dëshiroj ti të jesh vëllai im, por unë do të të them vëlla, atëherë kur ti, si kryeministër i vendit tënd, të meritosh respektin e popullit tënd”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri Rama shpjegoi dallimin mes udhëheqësve të tjerë në botë dhe Erdogan.
“Kam takuar thuajse të gjithë këta burrat e mëdhenj të shteteve për shkak të detyrës dhe është e vërtetë që shpeshherë janë kuriozë ç’është kjo miqësi kaq e ngushtë e imja me presidentin e Turqisë, dhe zakonisht priren ta shohin këtë si një çështje konspiracioni. “Jo po Turqia Neotomane, jo xhamitë, jo aspiratat e presidentit etj etj”. Kurse përgjigja ime është shumë e thjeshtë “Presidenti Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Më besoni që nuk është e lehtë në botën e sotme, edhe në diplomacinë e sotme, Mevludi e di shumë mirë këtë, që të gjesh njerëz që Po-në e kanë Po dhe Jo-në e kanë Jo. Kjo është arsyeja pse unë tani i solla këto episode, sepse ja ku jemi sot. Këtu është materializimi i të gjithë fjalëve të bukura. Këtu mund të shikohet se çfarë do të thotë presidenti Erdogan kur thotë “Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë, më dhemb dhe mua”, tha Rama.
Presidenti Erdogan tha se ju kam sjellë dashurinë dhe përshëndetjet e miliona zemrave të popullit turk, të cilat rrahin bashkë me ju.
“Gëzimi Shqipërisë është gëzimi ynë, hidhërimi juaj është edhe i joni. Mirëqenien tuaj e konsiderojmë si atë tonën. Vëllai i qëndron në krah vëllait ku ka nevojë dhe jo kur e thërret ai. Të gjithë përfituesve u them uroj ti gëzoni këto banesa. Falënderoj zotin që ne e përmbushëm premtimin ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve’, u shpreh Presidenti.
Presidenti Turqisë nga Laçi foli për sjelljen mes vendit të tij dhe atyre evropiane gjatë pandemisë së Covid19.
“Ne do të vijojmë t’ju qëndrojmë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza të forta të vijoj deri në pafundësi. Gjatë pandemisë dhe gjatë situatës së ngushtë të gjithë shtetet e fuqishme u kyçën përbrenda, duke mbyllur sytë e tyre, Ne nuk bëmë ashtu, dolëm jashtë kufijve për ti qëndruar pranë me çdo mundësi që kishim ne. Duke besuar në bekimet dhe mirësinë e ndarjes me të tjerët, dhe fuqisë së solidaritet ne ndihmuam miqtë tanë në luftën kundër pandemisë dhe ndamë me ta çdo mundësi që kishim. Si fryt i këtij solidariteti kaq të fortë kemi spitalin e miqësisë Shqipëri Turqi, spitalin i fierit, i cili është ndërtuar brenda 60 ditëve”, tha Erdogan.
Në shenjë mirënjohje për këto 522 banesa, këshilli bashkiak i Kurbinit e shpalli qytetar nderi presidentin Erdogan ndërsa sheshi përpara kompleksit të banesave të reja, do të mbajë emrin e tij.
Top Channel