Kuvendi i Kosovës dje miratoi rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur miratimin e kësaj rezolute.
Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës. Kundërshtime lidhur me këtë qëndrim pati nga shtetet e QUINT-it, shkruan Telegrafi.
Në hapje të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se nuk është kundër të drejtës së votës së qytetarëve serbë kosovarë me dy shtetësi duke thënë se votimi mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
Ai në anën tjetër ka kundërshtuar idenë që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.
“Një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë”, tha Kurti.
E pas miratimit të kësaj rezolute nga Kuvendi i Kosovës, në Serbi u mor vendim që qytetarët serb të cilët jetojnë në Kosovë të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë.Siç raportojnë mediat serbe, në gjithsej 45 vendvotime do të shtohen emrat e votuesve nga Kosova, të cilët do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë.
Kujtojmë se sot në Serbi do të votohet për ndryshime në Kushtetutën e këtij vendi lidhur me gjyqësorin. Siç raportojnë mediat serbe, tashmë janë hapur të gjitha vendovitmet.
Top Channel