Alex Song ka luajtur gjatë karrierës së tij me dy ekipe të mëdha, Arsenalin dhe Barcelonën.
Mbrojtësi kamerunas, duke folur në Instagram me “yllin” e NBA-së, Pascal Siakam, e pranoi se kishte lënë “Topçinjtë” për t’iu bashkuar “blaugranave” vetëm për para, edhe pse e dinte që do të luante pak.
“Isha tel Arsenali për tetë vjet, por fillova të jetoj mirë vetëm gjatë katër vitet e fundit. Kjo sepse rroga m’u rrit shumë, por edhe sepse e kuptova sa shumë e kisha shpërdoruar paranë. Ku iu bashkova për herë të pare Arsenalit, fitoja 15,000 euro në javë. Isha djalë i ri në ekstazë. Doja të krahasohesha me të mëdhenjtë. Mund të bëja pazar ku të doja dhe të kaloja net të çmendura. Shkoja në stërvitje dhe shihja Thierry Henry, Mbretin, të shfaqej në një makinë perlë e vërtetë. I thashë vetes se doja të njëjtën makinë me çdo kusht. Shkova në koncesionar, firmosa letrat për kredinë, dhe kështu kisha të njëjtën makinë si Mbreti. Por betohem se m’u desh ta ktheja dy muaj më vonë. Të gjitha paratë i shpenzoja duke e mbushur me benzinë.Unë u thashë: Më jepni një Toyota, kjo makinë është shumë për mua. Një ditë, pasi shkova në stërvitje, Thierry më pyeti: “Ku është makina jote, bir?” Gjatë gjithë kohës sime tek Arsenali, nuk munda të kurseja as 100 mijë euro, ndërkohë që njerëzit mendonin se duhet të isha milioner.”
Song foli edhe për transferimin e tij te Barcelona:
“Kur Barcelona më ofroi kontratë dhe pashë se sa do të fitoja, nuk u mendova dy herë. Kuptova që gruaja dhe fëmijët e mi do të kishin jetë të rehatshme kur të mbyllja karrierën. Takova drejtorin sportiv të Barçës, ai më tha që nuk do të luaja shumë ndeshje, por kjo nuk më interesonte, e dija që do të bëhesha milioner. Nuk doja t’ia dija që do të qëndroja në stol në “Camp Nou”, me interesonin paratë që fitova”./ Supersport
Top Channel