PD e Rithemeluar do marrë pjesë me kandidatët e saj në zgjedhjet e pjesshme lokale

15/01/2022 18:26

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ka udhëzuar çeljen e një procesi zgjedhor në 71 degët e Partisë Demokratike.

Një nga anëtarët e këtij Komisioni, Belind Këllici, pas përfundimit të mbledhjes me strukturat e degës së Beratit, tha për mediat se procesi ka nisur me datë 10 janar dhe pritet të përfundojë më datë 15 shkurt.

Ai tregoi se ky është një proces i shumë pritur në Partinë Demokratike, për shkak se anëtarët e kësaj force politike, kanë pritur me padurim prej kohësh rifreskimin e strukturave të kësaj partie me qëllimin sipas tij për t’u përgatitur në përballjen më të shpejtë me Qeverinë dhe Edi Ramën.

Në një mbledhje të degës së PD në Berat patëm një diskutim me demokratët dhe drejtuesit e kësaj dege në lidhje me udhëzimin Nr.3 të datës 10 janar të vitit 2022 të Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike në lidhje me çeljen e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet, deri në kryetar dege, në të 71 degët e Partisë Demokratike. Ky është një proces që tashmë ka nisur në datën 10 janar dhe i cili do të përfundojë në datën 15 shkurt”, tha ai.

Deputeti demokrat theksoi se mbledhja ka shkuar normalisht, duke shtuar me tone ironike se kur nuk ka dyer të blindura dhe bunkerizim të selive, demokratët sipas tij dinë të operojnë në mënyrë njerëzore dhe demokratike.

Ai u bëri thirrje demokratëve, por mbi të gjitha të rinjve që duan të aspirojnë të kenë një karrierë në PD, të vijnë e të bashkohen për t’u bërë pjesë të këtij procesi i cili do ta rifreskojë mbi të gjitha këtë parti në çdo cep të saj.

Kurse Klevis Balliu, i dërguari i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit në Lushnjë, u shpreh për mediat se dega e PD-së në këtë qytet ka ngritur grupin e punës që do të merret me organizimin e partisë.

Ai theksoi se udhëzimi i 10 janarit do të ndiqet me seriozitet nga të gjithë anëtarët e kësaj partie në degën e Lushnjës, me qëllimin për të organizuar sa më shpejtë degën e Lushnjës, për të qenë gati për t’u përballur në zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën dhe kukullën e tij, Lulzim Bashën.

Kemi filluar punën për organizimin e Partisë Demokratike në mënyrë që demokratët të jenë gati për t’u përballur në betejën e radhës politike kurdo ajo qoftë. Jemi të bindur që sot demokratët janë më të motivuar për t’u përballur me Edi Ramën dhe kukullën e tij, Lulzim Bashën”, tha Balliu.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur të caktojë një datë për zgjedhje të pjesshme lokale në bashkitë e ngelura pa kryetar, 1 muaj pasi Gjykata Kushtetuese i legjitimoi zgjedhjet e Qershorit 2019 edhe pse opozita nuk u fut në zgjedhje.

Meta deklaroi se ka nisur procedurën, pasi u njoh me vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese dhe mohoi që vendimi për t’i çuar në këtë moment në zgjedhje 6 bashkitë, atë të Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Lushnjes e Rrogozhinës, të lidhet me situatën në PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA