Kosova nuk do të lejojë mbajtjen e një referendumi serb në territorin e saj edhe pas kërkesës së ambasadorëve të fuqive të mëdha.
Të premten mbrëma në pikën kufitare të Merdares janë ndaluar edhe dy kamionë që pas verifikimeve rezultuan të mbushur me materiale zgjedhore. Në një komunikatë, policia e Kosovës u shpreh se shoferët dhe personat shoqërues janë kthyer mbrapsht për në Serbi.
Ndërkohë, kryeministri Kurti ka thirrur sot në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendin e Kosovës që do të mblidhet prej orës 14:00, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.
Në Serbi do të zhvillohet një referendum për disa ndryshime kushtetuese, ndërsa autoritetet atje kanë kërkuar që për këtë të votohet edhe nga serbët e Kosovës respektivisht në qytetet ku ndodhen.
Kjo kërkesë është mbështetur nga BE dhe aleatët e tjerë perëndimorë të Kosovës, por është kundërshtuar nga udhëheqja e vendit, të cilët janë shprehur bashkërisht se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt të tillë ata e cilësojnë shkelje të integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti është shprehur se serbët me dyshtetësi mund të votojnë nëpërmjet postës apo zyrës ndërlidhëse.
Top Channel