Man.City “vret” Premier League, De Bruyne nxjerr Chelsean nga gara për titull!

15/01/2022 16:24

Manchester City vret kampionatin. Citiziens mposhtën minimalisht 1-0 Chelsea-n në supersfidën e javës së 22-të Premier League duke nxjerrë pothuajse nga gara për titull një prej rivalëve kryesorë të tyre siç janë Blutë e Londrës.

Një fitore e merituar për skuadrën e Guardiolës që e kërkoi më shumë trepikëshin dhe e gjeti falë një goli të liderit të mesfushës Kevin De Bruyne në minutën e 70. Tashmë diferenca me Chelsean e vendit të dytë ka shkuar në 13 pikë dhe e vetmja skuadër që mund të ndjekë sadopak hapin e skuadrës së Guardiolës mbetet Liverpooli që ka 14 pikë më pak por ka zhvilluar dy ndeshje më pak.

Në Etihad Stadium rrezikun e parë e dha John Stones në minutën e 14-të. 10 minuta më vonë Kepa Arrizabalaga bëri heroin duke i thënë jo golit De Bruyne, ndërkohë që në minutën e 40-të Jack Grealish humbi një penallti në lëvizje edhe për meritë të portierit spanjoll të Chelsea-t që bëri një tjetër pritje shpëtimtare.  Në fillimin e pjesës së dytë u vë në evidencë edhe Romelu Lukaku që ishte titullar në këtë ndeshje por pa mundur të lerë shenjë pasi tentativa e tij u ndal nga Ederson.

Në të 64-ën sërish protagonist ishin De Bruyne dhe Kepa me portierin e Chelsea-t që evitoi sërish golin për të ardhur te ai galopim i belgut në të 70-ën dhe goditjen nga distanca që e ndali në cepin më të largët të portës së mbrojtur nga gardiani spanjoll. 1-0 për Manchester City-n, 20 minuta para fundit. Reagimi i Chelsea-t mungoi dhe skuadra e Guardiolës iu gëzua tre pikëve shumë të rëndësishme që e afrojnë gjithnjë e më shumë me titullin kampion në Angli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA