Nuk shënon Armando Broja, nuk fiton Southamptoni. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare u aktivizua titullar nga Hasenhuttle në ndeshjen me Wolverhapmtonin, me transfertë, që përfundoi me suksesin 3-1 të “ujqërve”.
Broja e nisi titullar dhe pati dy-tri momente të mira gjatë fraksionit hapës, ndërsa në pjesën e dytë la fushën në minutën e 78-të, kur rezultati ishte 2-0.
Në pjesën e parë shënoi për vendësit Jimenez me 11-metërsh (37′), ndërsa me fillimin e të dytës dyfishoi shifrat Coady. Southamptoni rihapi ndeshjen me Ward-Prowse në minutën e 84-t, por sapo nisi shtesa Adama Traore mbylli sfidën me golin e 3-1 pas një kundërsulmi të shpejtë.
Zhgënjen Newcastle, që nuk shkoi më shumë se barazim 1-1 në shtëpi ndaj Watfordit. Saint-Maximin zhbllokoi takimin sapo nisi pjesa e dytë, por dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt barazoi Joao Pedro.
Ndërkohë Norwich mori tri pikë shumë të rëndësishme ndaj Evertonit falë suksesit 2-1. Vendësit i shënuan të dy golat në pjesën e parë. Na fakt, finalizimi që zhbllokoi rezultatin ishte autogol i Keane, për të ardhur më pas te goli i minutës së 18-të i shënuar nga Idah. Miqtë nga Liverpooli ia dolën të ngushtonin diferencën me Richarlison në pjesën e dytë (60′), por vetëm kaq, në fund festa ishte për Norwichin, që vinte pas një ecurie prej pesë humbjesh radhazi.
Top Channel