Nderohen policët e rënë në detyrë/ Këshilli Bashkiak i vendos katër rrugëve emrin e policëve që u vranë në 2009

14/01/2022 00:59

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi emërtimin e 4 rrugëve të reja në kryeqytet me emrat e dëshmorëve Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari që humbën jetën në 2009 në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit.

Sot, në 109-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim familjarët e dëshmorëve duke iu dorëzuar në mënyrë simbolike edhe një pllakatë me emërtimin rrugëve të reja.

“Një ditë mirënjohje për ata që shërbejnë sot me uniformën e policisë, për ata që kanë shërbyer dhe sidomos për ata që kanë rënë në krye të detyrës”- tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi për mbështetje dhe përkrahje të familjarëve të dëshmorëve të atdheut.

“Për ne këtu në Tiranë, një dëshmor i Atdheut nuk është statistikë, është një hero. Një hero për ata që kanë lindur pas 2009-ës, për të kuptuar që në emrat e këtij qyteti, në emrat e rrugëve dhe të shkollave, vëmë njerëz që na bëjnë të ndihemi krenarë”- vijoi ai.

Kreu i bashkisë premtoi se do të jetë gjithmonë avokat i të mirës së përbashkët.

“Çdo ditë marrim vendime që ndoshta një shumicë e heshtur mezi i pret, por ndoshta një pakicë që mund të ketë media, që mund të këtë para, që mund të ketë akses në politikë, mundohet t’i zmbrapsë. Për sa kohë që i shërbejmë shumicës duhet të kemi ndërgjegje të pastër për vendimet e vështira që marrim për të ecur përpara, për të çuar këtë qytet sa më lart”- përfundoi Veliaj.

Top Channel