Policia e Shtetit ka kryer kontrolle blic në të gjithë territorin dhe gjatë kontrolleve u kapën dhe arrestuan 3 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Policia kapi edhe një person që qarkullonte me armë zjarri pistoletë, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas që posedonin kokainë dhe kanabis.
Gjithashtu u sekuestrua një shumë e madhe në euro që një shtetas i transportonte nga Tirana për në Shkodër.
Policia ka kryer kontroll në 1872 automjete dhe 134 ambiente të ndryshme, pasi dispononte informacione operative me risk.
Janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 112 shtetas, ndër ta 32 persona me precedent penal/kriminal.
Policia njofton se gjatë kontrolleve në Fier, nga shërbimet e DVP Fier, në bashkëpunim me FNSH Fier, u kap dhe u arrestua shtetasi E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit, në çantën e tij të krahut, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.
Në Shkodër, gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin B. S., 22 vjeç, Policia gjeti dhe sekuestroi shumën 31200 euro. Këtë shumë eurosh, drejtuesi i mjetit deklaroi se e kishte sjellë nga Tirana, për llogari të një shtetasi në Shkodër. Vijon puna për kapjen dhe shoqërimin e tij.
Në Vlorë, nga shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me FNSH u kontrolluan banesa të personave në kërkim, njëri nga të cilët u kap në Vlorë, konkretisht shtetasi P. N., me masë sigurie “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Nga Policia Kufitare në Qafë Botë, Sarandë, u kap shtetasi në kërkim M. S., banues në Dhërmi, Himarë, të cilit Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave dhe stampave” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Himara”, pasi dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve, ka tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e ka kaluar në pronësi të tij ose e ka shitur tek persona të tjerë.
Në Kukës u kap shtetasi A. D., 35 vjeç, banues në Shtiqen, i shpallur në kërkim për “Dhunë në familje”.
Në Tiranë u kapën dhe u shoqëruan për veprime të mëtejshme, shtetasit D. S. dhe Sh. H., pasi u konstatuan me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa të ndarë në doza.
Njëkohësisht, në të gjithë vendin u bllokuan edhe 33 automjete pa dokumentacion dhe disa të shpallura alert.
Top Channel