Luhet derbi i Londrës Veriore, ja si e komenton legjenda Ian Right

14/01/2022 20:53

Premier League bëhet gati për derbin e famshëm të Londrës Veriore Tottenham Hotspur-Arsenal, sfidën më të ndjerë të kryeqytetit anglez, një përballje ndoshta përcaktuese për ambiciet e këtyre dy klubeve për Zonën Champions.

Për hir të së vërtetës derbi më i zjarrtë dhe më i frikshëm jo vetëm në kryeqytet por në gjithë ishullin konsiderohet dueli West Ham – Millwall, një sfidë e egër që numëron vetëm dy përballje gjithsej përgjatë dekadës së fundit, madje edhe ato në Championship, sidoqoftë derbi i mirëfilltë londinez në elitën e futbollit anglez është padyshim Arsenal-Tottenham. Në fazën e parë në Stadiumin Emirates “topcinjtë” shënuan tre gola në dicka më shumë se gjysmë ore ndaj spurs, që asokohe drejtoheshin nga trajneri portugez Nuno Espirito Santo, për të fituar bindshëm takimin me rezultatin 3-1, ndërsa këtë herë skuadrat kanë ndërruar rolet dhe favoritë janë padyshim “gjelat”. Natyrisht dy ekipet kanë ndryshuar shumë dhe nuk kanë më shkëlqimin e dikurshëm. Rivalët e tjerë janë rritur ndjeshëm dhe tani këto dy klube nuk kanë më as statusin e “big six”-it.

Në edicionin e fundit për shembull “the gunners” e mbyllën kampionatin në vendin e tetë, me thjeshtë një pikë më pak se sa Tottenhami, duke mbetur përfundimisht edhe jashtë Kupave të Evropës, gjë që nuk regjistrohej prej më shumë se cerek shekulli, më saktë që nga viti i largët 1995, praktikisht përpara se sa timoni t’i besohej strategut Arsene Wenger, ndërsa spurs vjet e mbyllën sezonin në pozicionin e shtatë, duke gëzuar për herë të pestë rresht festën e “St Totteringham’s Day”. Një ditë e shënuar dhe një festë tepër origjinale që i ka fillimet në vitin 2002. Idea është e qartë, festojnë pikërisht tifozët e skuadrës që ia del mbanë për të garantuar mbylljen e sezonit në kampionat sipër rivalëve të urryer kundërshtarë. Pikërisht dita kur dicka e tillë vuloset përfundimisht edhe në aspektin matematikor konsiderohet edhe si festa e St Totteringham’s Day.

Viti 2016 përfaqëson edhe herën e fundit kur “topcinjtë” e kanë shijuar një festë të tillë, pasi “gjelat” të dëshpëruar nga humbja e titullit në javën përmbyllëse lëshuan edhe vendin e dytë në tabelën e renditjes. Ishte edicioni 2015-16, një sezon i paharrueshëm në Angli për shkak të titullit të paimagjinueshëm të Leicester City-t, megjithatë pikërisht në javën e fundit kur Tottenham-it të Pochettino-s i mjaftonte edhe barazimi gjelat u poshtëruan 5-1 në St. James’ Park, ndonëse “magpies” ishin rrëzuar zyrtarisht në Championship, ndërsa në krahun tjetër Arsenali i Monsieur Wenger shkatërroi 4-0 Aston Villa-n brenda në Emirates, për të mbyllur për të 21 herë rresht Premiership-in anglez përpara “spurs”. Në lidhje me emocionet e forta që përjetohen në derbin e Londrës së Veriut apo dhe atmosferën e zjarrtë që përcjellin duelet Tottenham-Arsenal ka folur edhe Ian Wright, që konsiderohet me të drejtë si një legjendë në historinë e “topcinjve”.

58-vjecari i cili ka lindur në Wooleich në juglindje të Londrës në një intervistë të dhënë së fundmi përmendi krenarinë dhe pasionin e tifozëve për një sfidë të tillë më shumë se njëqind vjecare. Një duel tepër i vecantë që ka parë për protagonistë shumë yje si Henry, Klinsmann, Bergkamp apo dhe Bale. Ian Wright ishte golashënuesi më i mirë në historinë e Arsenalit, përpara se rekordi i tij të thyhej nga francezi Thierry Henry dhe ish-sulmuesi i famshëm i “topcinjve” foli gjithashtu edhe për mënyrën e shënimit apo dhe festimit të ndryshëm të golave, si dhe për klasiket me rezultate bombastike ndërmjet këtyre dy ekipeve.

Ian Wright i cili me fanellën e Arsenalit pati gjetur rrjetën 113 herë në 213 takime tani është barazuar në listën e përgjithshme të golashënuesve më të mirë të Premier League-s edhe nga sulmuesi egjiptian i Liverpulit Mohamed Salah, sidoqoftë ndonëse aktualisht ka rrëshqitur në vendin e 21 në listën e golashënuesve më të mirë të Premier League-s ai konsiderohet si numri tetë më i famshëm në historinë e klubit të mirënjohur londinez. Ian Wright i cili është babai adoptues i dy futbollistëve të tjerë si Shawn dhe Bradley Wright Phillips prej vitesh punon si analist në televizione të ndryshme në ishull dhe 58-vjecari shtoi se pavarësisht momenteve të shumta zhgënjyese të këtyre viteve të fundit tifozët e dy ekipeve mbeten sërish optimistë për të ardhmen.

Sipas tij falë ecurisë pozitive në kampionat trajneri Antonio Conte ka ndryshuar pritshmëritë e “gjelave” për këtë sezon, ndërkaq për Mikel Arteta-n Wright shtoi se falë hapësirës që i ka dhënë futbollistëve të rinj tekniku spanjoll është në rrugën e duhur për t’i kthyer “gunners” në elitën e kampionatit anglez. Trendi ka ndryshuar dhe në fushën e Tottenham-it Arsenali ka rrëmbyer vetëm një barazim në pesë vizitat e fundit në kampionat, ndërsa në dy dekadat e fundit spurs kryesojnë 8-3 me fitore në 20 sfidat e këtij shekulli, duke konfirmuar në njëfarë mënyre edhe progresin e bërë nën administrimin e Daniel Levy-t. Dueli Tottenham-Arsenal është programuar që të luhet këtë të dielë në orën 17:30, sidoqoftë rreziku i shtyrjes së këtij derbi të famshëm është vërtet tepër i madh, për shkak të mungesave të shumta dhe problemeve të ndryshme që ka trajneri bask, për të bërë bashkë 14 futbollistë./Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA