Shtetet e Bashkuara kanë hedhur në treg një monedhë me imazhin e Maya Angelou. Poetja dhe aktivistja, Maya Angelou, është gruaja e parë me ngjyrë që shfaqet në një monedhë amerikane.
“Sa herë që ridizajnojmë monedhat tona, kemi mundësinë të themi diçka për vendin tonë, atë që vlerësojmë dhe se si kemi përparuar si shoqëri”, tha Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen. Monedhat me figurën e Angelou janë pjesë e Programit Amerikan të Grave në monedha.
Angelou u bë e njohur me botimin e autobiografisë së saj “I Know Why the Caged Bird Sings” në vitin 1969, një rrëfim i sinqertë i përdhunimeve dhe racizmit në jugun e veçuar. Ajo gjithashtu punoi me udhëheqësit e të drejtave civile Martin Luther King, Jr. dhe Malcolm X.
Angelou recitoi poemën në ceremoninë e inaugurimit të parë presidencial të Bill Clintonit. Në vitin 2010 Barack Obama e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Ajo vdiq në vitin 2014 në moshën 86 vjeçare./ DW
Top Channel