SHBA/ Homazhe në Capitol për senatorin demokrat Harry Reid

13/01/2022 07:59

Ligjvënësit amerikanë të mërkurën i bënë homazhe ish-udhëheqësit të shumicës në Senat, Harry Reid, ndërsa arkivoli i tij është vendosur në kupolën e Kapitolit, ndërtesës së Kongresit amerikan. Harry Reid, një demokrat nga Nevada, vdiq muajin e kaluar në moshën 82-vjeçare nga kanceri i pankreasit.

Të mërkurën pasdite, Presidenti Joe Biden shkoi në Kapitol për t’i bërë homazhe senatorit të ndjerë. Ai nuk bëri komente. Nënpresidentja Kamala Harris gjithashtu shkoi më herët të mërkurën në Kapitol për të nderuar ish-udhëheqësin demokrat të Senatit.

“Pak njerëz kanë ndikuar në krijimin e rregullave të funksionimit të këtij institucioni si miku ynë i dashur nga Nevada”, tha udhëheqësi aktual i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, më herët tha se ish-senatori Reid ishte një “figurë e rëndësishme”.

Ceremonia ishte e mbyllur për publikun për shkak të pandemisë së COVID-19. Presidenti Biden, së bashku me ish-presidentin Barack Obama, kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe senatorin Schumer, mbajtën fjalime në funeralin e ish-senatorit Reid në Las Vegas, të shtunën. Senatori i ndjerë Harry Reid vinte nga një familje e varfër dhe shërbeu për katër dekada në Kongres, duke u ngritur përfundimisht në pozicionin më të lartë të senatit, atë të udhëheqësit të shumicës.

Ai është ndoshta më i njohur për përpjekjet që çuan në miratimin e ligjit të kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama në vitin 2010. Ish-senatori Reid është personi i 34-të për të cilin bëhen homazhe në Kapitol.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA