Këshilli i përhershëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të enjten takohet në Vjenë për të biseduar për tensionet e fundit, pas grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Ky do të jetë takimi i tretë gjatë kësaj jave për këtë çështje, pasi më herët Shtetet e Bashkuara dhe NATO, në takime të ndara, u takuan me përfaqësuesit rusë.
Moska dhe Uashingtoni veçse kanë theksuar dallimet e tyre “thelbësore” mbi sigurinë evropiane, gjatë bisedimeve më herët gjatë kësaj jave.
Ambasadori i SHBA-së në OSBE tha se nuk pritet ndonjë përparim gjatë takimit që mbahet më 13 janar.
“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë rezultat konkret gjatë kësaj jave. Qëllimi ynë kryesor është që të ketë dialog”, tha ambasadori Michael Carpenter.
“Po, pozicionet janë të kundërta, por kjo nuk do të thotë se nuk ka elemente dhe tema në të cilat ne nuk mund të pajtohemi”, shtoi ai për televizionin e pavarur rus, Dozhd.
Sipas Carpenter, sfida qëndron në përcaktimin e mënyrave sesi të thellohet dialogu “për këtë çështje në muajt e ardhshëm apo edhe vitin e ardhshëm”.
Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë të gjitha 57 shtetet anëtare.
Ky takim vjen teksa Moska ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. Perëndimi ka shprehur shqetësime se Rusia mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.
Në anën tjetër, Moska ka prezantuar kërkesat e saj të sigurisë, që kanë të bëjnë me ndalimin e zgjerimit të NATO-s nga lindja si dhe Rusia po kërkon garanci që Ukraina të mos bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike./ REL
Top Channel