LISTA/ Jo vetëm Tirana, kufizimin e lëvizjes së mjeteve të rënda gjatë ditës e aplikojnë edhe qytete të tjera të Evropës dhe botës

13/01/2022 10:56

Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës mori vendimin për të kufizuar qarkullimin e mjeteve të rënda dhe betoniereve gjatë orëve ditës, sidomos në orët e mëngjesit, kur fëmijët shkojnë në shkollë. Rezultatet pozitive nuk munguan që në ditët e para, çka uli ndjeshëm trafikun në Tiranë.

Por, në fakt, të njëjtën praktikë si Tirana për lehtësimin e trafikut gjatë ditës e ndjekin edhe qytete të ndryshme në Europë dhe botë, të cilat aplikojnë rregulla të ndryshme për qarkullimin e kamionëve të mallrave dhe të shërbimit nëpër zona urbane. Disa prej tyre e kufizojnë aksesin e tyre bazuar në tonazh, orar, pagesa, rrugë të dedikuara, parkim, etj. Vendosja e kufizimeve të tilla ka sjellë mjaft avantazhe për qytetet ku është aplikuar, si reduktim të trafikut, lehtësim në parkim, përmirësim të orarit të shërbimit, ulje të kostove të operimit si dhe ambjent më të pastër.

Disa prej qyteteve dhe shteteve që kanë kufizuar lëvizjen e mjeteve të rënda gjatë ditës po i rendisim si më poshtë:

– Franca dhe Korea limiton aksesin e kamionëve gjatë orëve të ditës dhe e lejon atë natën. Megjithatë, në Francë aplikohen rregulla të ndryshme për qytete të ndryshme. Në Paris ndalohet qarkullimi nga ora 8:00-20:00 përgjatë gjithë ditëve të javës (dhe ndalohen plotësisht gjatë fundjavës), por për kamionët që kanë vite prodhimi më të fundit aplikohen rregulla të tjera, kjo si rrjedhojë sepse ata emetojnë me pak ndotje dhe zhurma në ambient (Paris City Council 2019).

– Filipinet e ndalojnë kamionin mbi 4.5 ton në 14 rrugët arteriale nga ora 6:00-21:00.

– Spanja ndalon kamionët ditën për disa nga qytetet e mëdha. Për arsye të trafikut të paradites, disa nga qytetet e mëdha, si Barcelona, ka ndaluar qarkullimin e kamionëve gjatë ditës. Madridi gjithashtu ndalon kamionët të qarkullojnë nga ora 7:00-23:00, si dhe gjatë gjithë orëve të fundjavës (EMESA Restrictions on Truck Traffic on the M-30, 2018).

– Në Borlange, Suedi transporti i kamionëve bëhet gjatë orareve të natës dhe herët në mëngjes (Civitas Smart choices for cities Making urban freight logistics more sustainable 2020).

– Në Itali, Romë, kamionët mbi 3.5 ton detyrohen të udhëtojnë natën nga ora 20:00-00:08, por kjo varion për qytete të ndryshme. Në Luka ndalohet qarkullimi nga ora 07:00-22:00 dhe pas kësaj ore, kamionët nuk lejohet të qëndrojnë më shumë se 15 minuta gjatë procesit të ngarkim-shkarkimit në parkimet e perkohshme të qytetit. Në Milano, në 2020 është miratuar një rregull tjetër për qarkullimin e kamionëve, i cili kufizon ata nëpërmjet aplikimit të një pagese prej 5 eurosh gjatë orarit të lëvizjes nga 07:00-07:30 (Civitas Smart choices for cities Making urban freight logistics more sustainable 2020).

– Në Belgjikë, Mechelen, ndalohet qarkullimi i kamionëve mbi 10 tonë. Kamionët më pak se 10 tonë ndalohen të qarkullojnë nga 11:00-18:00 (Novelog, Urban Freight and Service Transport in European Cities 2020). Ndërsa, në qytetet e mëdha trafiku i kamionëve ndalohet gjatë orareve të rënduar 7:00-9:00 dhe 16:00-18:00 (Truckerapps Truck bans in Belgium, the Netherlands and Luxembourg in 2021).

– Berlini ka reduktuar qarkullimin e kamionëve, të cilët nuk plotësojnë kushtet e ndotjeve në ambient gjatë gjithë orëve.

– Budapesti, në Hungari, kufizon kamionët gjatë orarit të ditës 06:00-22:00, duke vendosur gjobë për ata që nuk e respektojnë këtë orar (Truckban Basic Information).

– Në Stamboll, Turqi, kamionët kufizohen nga ora 06:00-22:00 (Truckban Basic Information).

– Në SHBA ka politika të ndryshme. Shpesh ata e lejojnë dhe e ndalojnë qarkullimin e kamionëve duke ofruar incentiva ose pagesa, të cilat përdoren sipas interesave të kompanive. Në përgjithësi, gjatë orareve të trafikut nuk rekomandohet qarkullimi i kamionëve me kapacitet të lartë, p.sh në Nju Jork ndalohen kamionët nga ora 07:00-10:00 dhe 16:00-19:00 (NY Truck Stop 2018)

– Në Indi, Mumbai ka kufizim të qarkullimit të kamionëve për arsye trafiku nga ora 07:00-23:00 (Bombay Goods Transport Association 2013)

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA