Qeveria nxori për konsultim publik programin e ri të reformave ekonomike 2022-2024, në të cilin ka planifikuar të orientojë investimet në sektorin e transportit nga rrugët në hekurudha dhe porte.
Projekti kryesor do të jetë linja e re hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, punimet e të cilës kanë nisur. Gjithashtu prioritet do të jetë transporti detar, pasi infrastruktura detare është e pazhvilluar me kapacitet të pamjaftueshëm. Cilësia e ulët e infrastrukturës të transportit ka ndikuar në integrimin e vendit në zinxhirët e furnizimit rajonal dhe global dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe shërbimeve transitore.
Bashkë me hekurudhën e re prioriteti i tre viteve në vijim do të jetë zhvendosja e aktiviteteve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano dhe zonën ekonomike të Spitallës, dhe shndërrimi i Portit të Durrësit në një port turistik.
Qeveria në programin e ri të reformave ekonomike referoi se përmirësimi i bazës ekologjike në transformimin e sistemit të transportit të Shqipërisë drejt sistemit hekurudhor të BE-së, promovon sistemin e pastër të transportit dhe nënsistemet hekurudhore, duke vendosur në një treg të vetëm në zonën evropiane të transportit, me teknologjitë neutrale ndaj klimës, integrimin tonë në sistemet e kursimit të energjisë.
Synohet një rritje e pasagjerëve nga terminali i trageteve nga portet dhe lëvizjen e tyre me hekurudhë në brendësi të vendit dhe drejt aeroporteve.
Qeveria njoftoi se gjatë vitit 2022 do të kryhet rehabilitimi i punimeve në seksionin kryesor nga Durrësi në Tiranë dhe do të nisë ndërtimi i linjës së re hekurudhore deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në 2023 do të ndërtohet lidhja hekurudhore me aeroportin e Rinasit 5 km, do të plotësojë kryqëzimin trekëndor hekurudhor.
Në vitin 2024 projekti do të përfundojë tërësisht dhe do të lidhet me projektin tjetër strategjik i financuar nga BERZH, nga Vora në Han të Hotit. Qeveria e Shqipërisë përfshiu në listën e investimeve publike për periudhën 2022-2024 rindërtimin nga e para të linjës aktuale hekurudhore Vorë -Hani i Hotit, e cila aktualisht është jashtë funksionit.
Ministria e Financave përllogariti një kosto prej 30 miliardë lekësh rreth 243 milionë euro për përfundimin e plotë të projektit që programohet të zhvillohet dhe të përfundojë përgjatë periudhës 2014-2027 (shih tabelën bashkëngjitur).
Ndërtimi i saj do të nisë të financohet në vitin 2024 me një shumë prej 1,5 miliardë lekësh (12 milionë eurosh) dhe është në listën e projekteve që do të financohen me fonde të huaja.
Projekti për rindërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit është pjesë e Planit Ekonomik të investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sipas këtij plani kosto totale e projektit është më e ulët rreth 172 milionë euro, nga të cilat janë siguruar 36 milionë euro të financuara nga një kredi e BERZH 31 milionë euro dhe Fondi i Ballkanit (WBIF) prej 4.5 milionë eurosh
Synimi është që në dy dekadat në vijim në transportuan hekurudhor të lëvizin mbi 1.7 milionë njerëz./ Monitor
Top Channel