Veliaj: Ndalimi i betoniereve gjatë ditës, vendim i drejtë! Dha rezultat në uljen e trafikut

12/01/2022 14:56

Vendimi i Bashkisë së Tiranës për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda dhe betoniereve gjatë ditës ka dhënë efektet e para pozitive.

Shoqata e ndërtuesve ka kundërshtuar rregullin e ri, por kryebashkiaku Erion Veliaj, në një takim që zhvilloi sot me policinë bashkiake, theksoi se nuk do të tërhiqet nga ky vendim.

Trafiku, tha Veliaj, nga të gjitha raportimet, matjet me kamera, apo matjet në semafor, sot ka rënë ndjeshëm krahasuar me muajt e mëparshëm. Deklaratës së Shoqatës së Ndërtimit se do ta çojë çështjen në gjykatë, Veliaj iu përgjigj me kërkesën e drejtpërdrejtë për gjyqtarët.

“Do i bëja thirrje çdo gjyqtari ta mendojë mirë kur jep një vendim për të qarkulluar një betoniere, apo kamionët, në kundërshtim me masat që ka marrë Bashkia e Tiranës! Ta mendojë mirë kur heq barriera, kur heq kufizimet dhe kangjellat rrugore, që janë aty për të mbrojtur njerëzit nga makinat! Gjyqtarët do të duhet të respektojnë vullnetin e popullit, jo vetëm se jemi në vitin e rinisë, se nuk e bëjmë vetëm për këtë, por se realisht duhet të sillemi si një qytet europian, ku secili respekton hapësirën e vet”.

Në takimin me policët, Veliaj njoftoi se Bashkia e Tiranës, në kuadër të “Kryeqytetit Evropian të Rinisë”, do të hapë thirrjet për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të bëhen pjesë e Policisë Bashkiake.

“Duam që ta rrisim skuadrën e Policisë Bashkiake, të kësaj familje që bën një nga punët më të vështira në këtë qytet, me 100 djem dhe vajza të rinj. Duam ta ofrojmë shërbimin njësoj, si në Ndroq, ashtu edhe në Linzë, si në Kashar ashtu edhe në km 29 të Krrabës, ku ndahemi me Elbasanin. Po mbi të gjitha, për fluksin e shtuar të të huajve, delegacioneve, miqve të Shqipërisë dhe të Tiranës, që do të vijnë për rastin e madh ku ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë”, tha kryebashkiaku.

 

Top Channel