Vaksinimi i fëmijëve i ulët/ Në Kosovë po rriten rastet me Omicron javët e fundit

11/01/2022 01:21

Situata e pandemisë në Kosovë po përkeqësohet ndonëse në fund të vitit të shkuar Kosova ishte vendi me gjendjen epidemiologjike më të mirë në rajon.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njoftoi të hënën se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron. Numri i të infektuarve ishte njëshifror në fund të vitit të shkuar, por aktualisht po regjistrohen qindra raste çdo ditë.

Në 24 orët e fundit ishin 304 raste. Ndryshe nga viti i kaluar, Kosova nuk përballet me mungesë të vaksinave. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 43.9 për qind me dozën e dytë.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka mbi 400 mijë vaksina aktualisht. Me moshat 18-vjeç e lart vaksinimi po ecën mirë, por, ndaj te fëmijët ka rezistencë të madhe. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i fëmijëve nga 12 deri 15 vjeç në Kosovë, është afro 100 mijë.

Top Channel