Me kanabis në makinë, momenti i arrestimit të 24-vjeçarit në Mirditë

11/01/2022 10:03

Një 24-vjeçar është arrestuar në Mirditë, pasi iu gjet tre  kilogramë e 200 gramë kanabis.

Policia mori informacion nga banorët, të cilët kishin parë një person që qarkullonte me lëndë narkotike në makinë.

“Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sekuestrohen 3 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet dhe posedonte lëndë narkotike, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë, kanë organizuar punën dhe në Reps, Mirditë, kanë lokalizuar mjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin D. L. Gjatë kontrollit në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 3 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 24 vjeç, banues në Reps, Mirditë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, sipas policisë.

Top Channel