Pas protestës së 8 janarit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me demokratët duke thënë se skenat që pamë të gjithë në selinë blu janë të turpshme dhe për të ardhur keq. Ndër të tjera dha mesazhin se opozita duhet të jetë e qenësishme, realiste e objektive.
Për komentet e Ramës ka folur Flamur Noka në emisionin “Top Talk” duke i cilësuar si cinizëm ekstrem.
Sipas tij, Rama mësoi Bashën të ndërtojë bunker brenda selisë së PD për të mbrojtur karrigen dhe kur demokratët donin ta çlironin, thotë se iu gjend pranë. Për këtë i referohet faktit që ndërhyri policia për të shpërndarë protestuesit që kishin hyrë në katin e parë të godinës.
Flamur Noka: Edi Rama duhet ta harrojë që mund të mbajë peng shtëpinë e lirisë. Mund të mbajë pengun të gjithë ditën, por jo shtëpinë e lirisë. Ishte një lloj cinizmi ekstrem. Pasi e ngujoi pengun, e mësoi të ndërtojë bunker brenda shtëpisë së lirisë për të mbrojtur karrigen, e mësoi të marrë pengje njerëzore aty për tu mbrojtur, pastaj iu gjend ditën, momentin kur demokratët donin ta çlironin, iu gjend, dhunoi demokratët, terrorizoi, gjakosi së bashku me banditët e pengut dhe pastaj del e bën cinizëm. Kjo është historia.
Top Channel