Turkmenistani kërkon të mbyllë kraterin natyral të gazit ‘Porta e Ferrit’ (fotot)

08/01/2022 21:18

Presidenti i Turkmenistanit ka thënë së fundmi se kërkon të mbyllë një nga atraksionet më të njohura turistike të vendit, i njohur si “Porta e Ferrit”.

Vendi është një krater natyral spektakolar gazi që digjet prej dekadash.

Presidenti Gurbanguly Berdymukhamedov tha se kërkon të shuajë kraterin natyral të zjarrit Darvaza, një nga vendet më të njohura të shtetit të Azisë qendrore.

Berdymukhamedov tha se ka urdhëruar zyrtarët të fikin zjarrin duke cituar si arsye “dëm ekologjik dhe shqetësime ekonomike”.

Mes të tjerash ai tha: “Ne po humbasim burime të vlefshme natyrore për të cilat mund të marrim fitime, duke i përdorur për të rritur mirëqenien e njerëzve tanë”, çka do të thotë se autoritetet do të tentojnë që gazin që digjet ta fusin në tubacione.

Ai nuk shpjegoi strategjinë që do të përdoret për mbylljen e saj.

Krateri “Porta e Ferrit” gjendet rreth 260 kilometra larg kryeqytetit turkmen Ashgabat. Gropa e zjarrit është 60 metra e gjerë dhe rreth 20 e thellë.

Agjencia vendase Turkmenportal thotë se krateri i ndezur u formua fillimisht në vitin 1971 kur gjeologët sovjetikë zbuluan një xhep gazi natyror në shkretëtirën e gjerë të Karakum dhe aksidentalisht bënë që të shembej.

Më pas gjeologët nisën zjarrin për të parandaluar që gazi helmues të përhapej, duke besuar gabimisht se do të mund të shuhej përsëri lehtësisht.

Por dekada më vonë ajo është ende duke u djegur si ferri i pseudonimit të saj.

Berdymukhamedov kishte urdhëruar fikjen e saj edhe në vitin 2010 por tentativat nuk rezultuan të suksesshme.

Tentativa e fundit pritet të jetë më kurioze prej vëmendjes që po i japin mediat botërore, edhe në shumë raste kjo nuk ka sjellë zhvillime “pozitive”.

FOTO GALERI
1/8
Presidenti i Turkmenistanit ka thënë së fundmi se kërkon të mbyllë një nga atraksionet më të njohura turistike të vendit

Top Channel