Protestuesit demokratë sulmuan sot selinë e Partisë Demokratike dhe siç duket nga pamjet, dëmet materiale janë të shumta.
Mbështetësit e ish-liderit demokrat Sali Berisha përdorën leva, çekiçë, gurë dhe sende të tjera për të thyer dyert dhe xhamat e selisë blu. Më pas, ata hynë brenda, duke shkaktuar një rrëmujë të vërtetë, siç tregojnë pamjet e dërguara nga gazetarja Elda Menga.
Kryedemokrati i ftoi gazetarët për të dhënë një deklaratë për mediet, por në fillim u tregoi gjendjet e zyrës së tij. Protestuesit nuk kanë kursyer as dokumente apo pajisje elektronike.
Ndërkohë, selia e PD-së konsiderohet tashmë një skenë krimi. Pasi u larguar protestuesit, grupi hetimor bëri kqyrjen e zonës.
Deri më tani, disa shtetas janë shoqëruar në polici, ndërsa kryeprokurorja Elizabeta Imeraj u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.
Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë, njoftoi policia.
Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Top Channel