Selia e Partisë Demokratike është kthyer në një gërmadhë këtë të shtunë pas protestës së dhunshme të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Dyer e dritare të shqyera, xhama të thyer e dokumente të prishura duken nga pamjet e publikuara.
Kjo e shtunë kaloi me disa të plagosur përfshirë protestues dhe policë, të cilët ndërhynë në momentin që rrezikohej jeta e disa prej deputetëve që ishin në selinë blu, ndërsa mbështetësit e Berishës po shpartallonin dyert e blinduara.
Për situatën e krijuar pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata njëzëri dënuan aktet e dhunës, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë me qetësi.
Policia, pas qetësimit të situatës, njoftoi se ka shpallur “skenë krimi” godinën e PD-së, duke vendosur shiritat e verdhë në ambientet e jashtme të saj.
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e shpalli të mbyllur protestën për sot, duke theksuar se është vetëm fillimi.
Top Channel