Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi të shtunën pasdite ka reaguar në lidhje me protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke deklaruar se aktet e dhunës dhe tentativat për të cenuar rendin publik nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit.
Përmes një postimi në median sociale Facebook, Çuçi shkruan se policia “dëshmoi se është një trupë e depolitizuar dhe tërësisht e angazhuar, për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve”.
Gjithashtu ka përgëzuar Policinë e Shtetit për sjellje profesionale në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në protestën e thirrur nga ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha.
“Policia e Shtetit është e vendosur për të vijuar punën dhe misionin që i ngarkon ligji”, përmbylli Çuçi.
Protesta e mbështetësve të ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha përfundoi pasi Policia, duke përdorur topa uji dhe gaz lotjsellës, largoi protestuesit nga selia e PD-së.
Protesta e 8 janarit u thirr nga ish-kreu i PD-së, Berisha për të marrë kontrollin e selisë së partisë.
Ai ka argumentuar se lideri i PD-së, Lulzim Basha është “shkarkuar” nga ky post, përmes një referendumi brendapartiak të zhvilluar dhjetorin e vitit të kaluar. Këtë referendum e kishte iniciuar nga Berisha.
Protesta u mbyll mbi tri orë pas fillimit të saj, teksa Berisha paralajmëroi se nuk do të heqë dorë nga qëllimet e tij për të marrë kontrollin e selisë së PD-së.
Protestuesit tentuan të hynin në selinë e PD-së, por pak orë pas nisjes së protestës, selia u rrethau nga njësitet policore dhe autoritetet e rendit thanë se një qytetar dhe një polic janë plagosur lehtë gjatë përplasjeve.
Policia tha se ndërhyrja u bë me kërkesë të një grupi të deputetëve të Partisë Demokratike “të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit”.
Protesta e sotme shënon kulmin e një lëvizje që Berisha ndërmori ndaj kryetarit Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara që e shpallën non grata ish-kryeministrin.
SHBA-të thanë se Berisha ishte i përfshirë në korrupsion të gjerë dhe për këtë arsye atij i është ndaluar hyrja në SHBA.
Më 18 dhjetor 2021, Berisha inicioi një referendum, përmes së cilit u tha se Basha “u shkarkua” nga kreu i PD-së.
Muajin e kaluar, Zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar tha se do të ishte “pasoja” nëse Partia Demokratike do të zgjidhte për lider një person që është cilësuar si “persona non grata” nga Uashingtoni.
Top Channel