Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj ka folur në lidhje me skandalin e nxjerrjes së të dhënave të mbi 630 mijë qytetarëve shqiptarë duke thënë se emrat e katër zyrtarëve të arrestuar për shpërdorim detyre do të bëhen me dije në komunikatë për shtyp.
E pyetur për ngjarjet e fundit si atentati në Don Bosko dhe kontenieri ku ishte fshehur kokainë, Imeraj tha se po punohet por nuk mund të japin detaje nëse ngjarjet kanë lidhur me njëra-tjetrën. Ndër të tjera tregoi se zyrtarët janë të punësuar tek AKSHI por detyrën e ushtrojnë tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Imeraj: Policia e shtetit dhe prokuroria e Tiranës për shkak të ndodhive të fundit ka qenë në kuadër intensiv për zbulimin e çdo ngjarje të ndodhur. Nuk mund të flasim nëse kanë lidhje ngjarjet me njëra-tjetrën. Nëse keni të dhëna dhe janë të vlefshme për hetimit jeni të mirëpritur ti ndani me organin e akuzës. Nëse rastin e parë që kemi diçka konkrete, do ju bëjmë me dije duke qenë transparentë.
Për emrat e katër të arrestuarve, kjo do ju përcillet në një komunikatë për shtyp dhe seanca për masat e sigurimit do të jetë e hapur dhe mund të merrni pjesë.
Pyetje: Opozita thotë se janë përdorur të dhënat dhe për fushatën zgjedhore?
Imeraj: Nuk e dimë se çfarë thotë opozita, por çfarë themi ne me veprimet hetimore pasi kemi konkluduar një hetim paraprak. Nga ana jonë, janë hetuar të gjithë veprimtaria dhe mekanizmi i nxjerrjes së të dhënave që lidhet me pagat dhe kemi konkluduar për ato muaj që na janë bërë publike në qarkullim të lirë, ndoshta dhe në whatsappet ndoshta të secilit prej nesh.
Pyetje: Zyrtarët e arrestuar ku e marrin pagesën?
Imeraj: Realisht janë të punësuar në Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit pavarësisht se ushtrojnë detyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Pyetje: A kanë pasur takime apo kontakte me anëtarë të subjekteve politike?
Imeraj: Siç e shpjeguam, prokuroria që nga data 22 dhjetor ka kryer veprime intensive. Nga ana jonë janë kryer veprimet e duhura për të zbuluar autorët dhe mekanizmin e ngjarjes. Për më tutje do presim hetimet në vijim.
Top Channel