Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në një konferencë për mediat tha se skandali i pagave ndodhi si pasojë e shitje së të dhënave personale nga dy punonjës të Tatimeve, specialistë IT tashmë të arrestuar, te palë të tjera edhe këta nën pranga.
Imeraj tha se se veprimtaria e publikimit të të dhënave personale ka nisur në vend prej disa muajsh, që nga patronazhistët, dhe se nuk kemi të bëjmë me një rrjedhje kompjuterike të të dhënave, por me shpërdorim detyre nga punonjësit e administratës.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës garantoi se hetimet do të shtrihen edhe për peronat që kanë krijuar akses në këto të dhëna dhe publikimin e tyre me çfarëdo qëllimi.
“Duke marrë shkas dëmtimin e interesave të shtetasve dhe interesin e shtuar të publikut në raport me ngjarjen. Por edhe shqetësimin që ushtroj si Prokurore në një ngjarje të tillë ku të dhënat shpërndahen në whatsapp-e, nga ana e Prokurorisë është operuar me hetimin. Janë kryer veprimet hetimore, janë marrë të dhënat përkatëse. Është vijuar me sekuestrimin e pc, serverave, duke arritur të konkludojmë në një dyshim të arsyeshëm e si rezultat të hetimit paraprak kemi identifikuar 4 autorë. Dy janë punonjës në institucionet shtetërore.
Ka të dhëna të rëndësishme të bazuar në prova se kanë rrjedhur të dhënat personale. Punonjësi i IT që është punësuar te AKSHI, duke pasur aksesin në të dhënat personale në pagat e disa muajve ka hyrë duke marrë këtë të dhëna e këto të dhëna i ka shpërndarë te kolegu i saj dhe ky i fundit ka shfrytëzuar këto të dhëna dhe ia ka shitur subjekteve private. Punonjës të caktuar kanë shpërdoruar detyrën dhe të dhënat e siguruara i kanë shitur në struktura private.
Janë arrestuar dhe 2 autorë të dyshuar që punojnë në sektorin privat. Prokuroria fillon hetimet, sepse edhe në Drejtorinë e Transportit ka të dhëna që lidhen me targa.
Duke patur parasysh faktin se një veprimtari e tillë ka nisur që me patronazhistët, pastaj kjo me pagat dhe me vonë targat , prokuroria dhe policia janë në aksion për të zbuluar të gjithë ata që janë përgjegjës.
Ne konkludojmë sot këtë fazë paraprake të hetimeve, duke marrë parasysh vëmendjen dhe dëmtimin e interesave të publikut të gjera. Do të ketë një hetim të plotë dhe objektiv të dhënave”, tha Imeraj.
Imeraj tha se subjektet private të cilat kanë blerë të dhënat janë persona në fushën e përmbarimit.
‘Janë persona që punojnë në fushën e përmbarimit të cilët këto të dhëna personale i kanë përdorur për qëllime të punës së tyre. Jemi në fazën kur kemi punonjës shtetërore që i kanë përdorur dhe shitur ato dhe më pas për persona të tjerë që i kanë blerë.‘- tha Imeraj.
Top Channel