Një ditë para protestës së 8 janarit, Berisha: Dyert do hapen nesër. Blindi do ngarkohet në kamion, do t’i çohet Bashës në shtëpi

07/01/2022 13:39

Përpara protestës së thirrur ditën e nesërme nga ish Kryeministri Berisha, ky i fundit ka mbërritur vetë në selinë blu ditën e sotme.

Krahë tij ishin anëtarë të Komisionit të Rithemelimit dhe mbështetës të ish kreut historik të PD-së.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se dyert e selisë blu ditën e nesërme do të hapen dhe nuk ka blind apo beton që do të pengojë demokratët.

“Çdo blind në këtë ndërtesë do të ngarkohet në një kamion dhe do të drejtohet drejt shtëpisë Lulzim Bravës ti përdor si të dojë”, tha më tej Berisha. 

“Nuk ka diskutim që dyert do hapen në mënyrën më të vendosur që selia do ju rikthehet demokratëve, nuk ka blind apo beton që mund të pengojë demokratët shqiptarë si njerëz të lirë të rikthejnë këtë ndërtesë nga burg që e ka shndërruar Rama me pengun Lul Brava. Çdo blind në këtë ndërtesë do të ngarkohet në një kamion dhe do të drejtohet drejt shtëpisë Lulzim Bravës ti përdor si të dojë. Kjo nuk është një ndërtesë e një grupi terrorist por selia e PD”, tha Berisha.

Më herët, kryetari aktual i PD-së lajmëroi se ditën e nesërme, kur do të mbahet edhe protesta, Basha do të jetë në selinë blu, si të ishte një ditë normale pune. Berisha thotë se Basha mund të qëndrojë ku të dojë, por këto fjalë vijnë edhe me një paralajmërim nga pas!

“Se ku do të jetë peng Basha më 8 janar nuk i ndërhyjmë, ne nuk hyjmë për të dhunuar asnjë njeri përveçse paralajmëroj mercenarët se është mirë të dalin nga ndërtesa!”, tha Berisha.

Top Channel