Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, tha se në 4 muajt e fundit në vend kanë mbërritur 800 mijë emigrantë afganë.
Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme, Abdollahian në një bisedë telefonike me homologen e tij norvegjeze, Anniken Huitfeldt, ka trajtuar për çështjen e Afganistanit, krizën humanitare në Jemen dhe negociatat mbi programin bërthamor.
Abdollahian vuri në dukje se me fillimin e motit të ftohtë është rritur edhe numri i emigrantëve afganë të ardhur në Iran. “Në kufirin e Iranit vijnë çdo ditë 5 mijë afganë. Në 4 muajt e fundit në Iran kanë ardhur 800 mijë emigrantë nga Afganistani. Tregojmë përpjekje për të dërguar ndihma brenda Afganistanit për këto njerëz të larguar nga shtëpitë e tyre”, tha Abdollahian.
Ai shtoi se ndihmat humanitare që do të dërgojë Norvegjia mund t’i dërgojnë me rrugë tokësore dhe ajrore për personat në nevojë.
Duke folur edhe për negociatat mbi programin bërthamor në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, ministri Abdollahian theksoi se ecuria e përgjithshme është pozitive. “Nëse pala përballë kthehet plotësisht në angazhimet e tyre në marrëveshjen bërthamore edhe Irani do të kthehet. Vendet perëndimore qëllimet e tyre të mira duhet t’i paraqesin jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Hapat aktualë janë heqja e sanksioneve dhe kthimi në marrëveshjen bërthamore”, deklaroi Abdollahian.
Ndërkohë, edhe ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt, bëri të ditur se në muajin janar në Oslo do të zhvillojnë një mbledhje lidhur me krizën humanitare në Afganistan dhe Jemen si dhe ftoi homologun e tij iranian Abdollahian në këtë takim.
Top Channel