Greqia e Italia shkëmbejnë vepra arti/ Greqia kërkon që Britania e Madhe t’i kthejë veprat e artit që i ka marrë në shekullin e 19

07/01/2022 00:59

Me entusiazëm është pritur në Greqi lajmi se Muzeu arkeologjik rajonal i Siçilisë “Antonino Salinas” do t’i japë Muzeut të Akropolit një fragment mermeri nga frizi lindor i skulpturave të Partenonit, në një përpjekje me të cilën autoritetet e dy vendeve shpresojnë se do të inkurajojë rikthimin e veprave të artit që janë marrë nga këto dy vende në periudha të ndryshme.

Ndërkohë muzeu i Siçilisë do të marrë për një periudhë kohore të shkurtër një statujë mermeri të Athinasë të shekullit të 5-të p.e.s. dhe një amforë terrakote në stilin linear, gjeometrik që daton nga mesi i shekullit të 8-të p.e.s.

“Është një shkëmbim shumë i rëndësishëm, sepse ky fragment i vogël por domethënës i Partenonit shkon në Athinë dhe në këmbim do të vijë një skulpturë e rëndësishme e perëndeshës Athina nga Muzeu i Akropolit, që do të pasurojë koleksionet e muzeut Salinas”- tha lberto Samona, Këshilltar Rajonal i Siçilisë për trashëgiminë kulturore.

Pjesa e mermerit e njohur si “Fragmenti i Faganit”, do të ekspozohet e huazuar për 8 vjet fillimisht në muzeun e Athinës, por ekziston vullneti i autoriteteve të Siçilisë për ta dhënë atë për një kohë të pacaktuar në Muzeun e Akropolit.

Bëhet fjalë për një pjesë të mbështjelljes se këmbës së djathtë të një skulpture të Artemidës, perëndeshës greke të gjuetisë, e vendosur në anën lindore të një frizi të skalitur 160 metra që kalonte rreth tempullit dhe nuk dihet mënyra se si konsulli anglez Robert Fagan e ka sjellë në Palermo në shekullin e 19-të dhe me pas e veja e tij ia shiti atë muzeut Regio të Universitetit të qytetit.

“Ky shkëmbim bashkon këto dy struktura nën flamurin e një bashkëpunimi kulturor që lidh dhe forcon edhe më shumë identitetin kulturor që lidh Siçilinë me Greqinë nga shumë këndvështrime: shkëmbimi i artefakteve, rritja e nismave të përbashkëta dhe një proces i tërë që do të lidhë muzeun tonë me atë të Athinës për disa vite”- tha Caterina Greco, Drejtore e Muzeut.

Autoritetet greke vlerësojnë iniciativën me shpresën se ajo inkurajon Muzeun Britanik të kthejë skulpturat e tij, të cilat u morën prej Partenonit nga Lord Elgin, ambasadori britanik në Perandorinë Osmane, në fillim të shekullit të 19-të, një përpjekje e Athinës që ndesh në refuzimin e Londrës prej vitit 1980.

Top Channel