Një fëmijë 3 vjeç ka ndërruar jetë në një kopsht privat në Fier. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së sotme, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar në vdekjen e fëmijës. Burime për Top Channel bëjnë me dije se fëmija ka shkuar në spitalin e Fierit pa shenja jete.
Ndërkaq, mësohet se në momentin që ka mbërritur në spital i vogli nuk reagonte, ndërsa i janë konstatuar shenja në qafë.
Këtë e konfirmon edhe daja i fëmijës, i cili kërkon drejtësi: “Jam daja i fëmijës. E kemi çuar në mëngjes në kopsht vetëm kur na vjen lajmi, hajdeni se djalin e keni keq. Erdha me vrap në urgjencë. Aty u takuam me doktorin që ishte munduar ta kthente në jetë. Doktori tha se djali ka ardhur i pajetë. Ne i bëmë të gjitha çfarë ishin për të bërë dhe djalin nuk e shpëtuam dot. Më tha që kishte një shenjë në grykë. Për këtë duam drejtësi”, tha daja i fëmijës.”
Korrespodenti i Top Channel bën me dije se ngjarja ka ndodhur në mjediset e brendshme të kopshtit privat, ndërsa ka qenë edukatorja që e ka konstatuar të shtrirë në tokë.
Kjo e fundit ka kërkuar menjëherë ndihmë, duke menduar se fëmijës i kishte rënë të fikët. Ndërkaq, janë sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërsa edukatorja është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje nga organet kompetente.
Top Channel