“Ballkanin e kemi prioritet”/ Franca: Këto 6 muaj, do avancojmë procesin e zgjerimit!

07/01/2022 16:19

Ballkani Perëndimor duket se do të jetë lart në agjendën e Francës, e cila që prej 1 janarit ka marrë kryesimin 6 mujor të presidencës së Bashkimit Europian.

Shefi i Elizesë, Emmanuel Macron, tha se gjatë kësaj periudhe, vend tij do të punojë ngushtësisht me Komisionin Europian në lidhje me rajonin. Komentet e tij, presidenti francez i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryetaren e komisionit, Ursula von der Leyen.

Kjo e fundit përshëndeti faktin që Franca, një shtet me peshë të madh politike dhe me përvojë ka marrë kryesimin e Presidencës dhe theksoi se institucioni që ajo udhëheqë, do të jetë në dispozicion për të bashkëpunuar në realizimin e prioriteteve të përbashkëta të BE-së. Burime nga presidenca franceze pohuan se Parisi do të angazhohet me forcë gjatë këtyre gjashtë muajve për të avancuar procesin e zgjerimit me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh edhe përmbushjen e kushteve në këtë proces, sipas metodologjisë së re të zgjerimit.

Sipas burimeve diplomatike, Franca pritet sidomos të punojë në tejkalimin e pengesave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas krijimit të Qeverisë së re në Bullgari pritet që të gjendet edhe një zgjidhje për të hequr pengesat që ky shtet i ka bërë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Gjatë presidencës së saj, Franca planifikon të organizojë edhe një konferencë të veçantë kushtuar Ballkanit Perëndimor, në të cilën do të diskutohet për problemet specifike, sidomos për tensionet politike në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA