Trupat ruse hyjnë në Kazakistan, Moska: Pas protestave, dora e Amerikës!

06/01/2022 11:55

Një aleancë ushtarake e drejtuar nga Rusia do të nisë trupa në Kazakistan, pas ftesës së presidentit vendas i cili kërkoi ndihmë për t`i bërë ballë trazirave në vend dhe protestave që sa vjen e përshkallëzohen.

Paqëruajtiësit i përkasin një trupe të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), e cila përbëhet nga vende aleate të ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev i kërkoi ndihmë më herët aleancës ushtarake mes Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Taxhikistanit.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan ishte ai që bëri njoftimin se trupat do të stacionohen në Kazakistan për një periudhë të shkurtër kohe, deri sat ë rikthehet rendi e qetësia, por nuk sqaroi ndërkohë sesa ushtarë do të dërgohen në vendin e trazuar.

Shtëpia e Bardhë dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kazakistanit të tregohen të përmbajtur në trajtimin e krizës. Washingtoni hodhi poshtë dhe ato që i quajti “pretendime të çmendura ruse” se pas demonstratave masive është dora amerikane duke i quajtur si “absolutisht të rreme dhe si pjesë e qartë e librit standard rus të dezinformimit”.

Kazakistani është trazuar që nga fillimi i vitit nga protesta, të cilat u përshkallëzuan të mërkurën në përleshje me policinë. Në vend u shpall gjendja e jashtëzakonshme pasi protestat për rritjen e çmimit të karburantit kaluan në përleshje dhe demonstruesit sulmuan ndërtesat qeveritare. Njoftohet edhe për të vdekur, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete për shifrat.

Top Channel