Kremlini: Mbrojtja serbe varet prej nesh, “e kemi në dorë” prej 200 vjetësh!

06/01/2022 13:50

Aftësia mbrojtëse e Serbisë varet në masën më të madhe prej Rusisë, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“Ndoshta përgjatë gjithë 200 viteve të fundit, mbrojtja serbe është varur më së shumti nga shpejtësia e reagimit të Rusisë ndaj kërcënimeve të jashtme ndaj këtij vendi sllav jugor”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Telegram.

Duke komentuar deklaratën e admiralit të NATO-s Robert Burke, i cili thoshte se Aleanca ka mbështetur reformat në Serbi që synojnë forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit, Zakharova theksonte se “në rrethana të çuditshme, të gjithë ata që kanë sulmuar Serbinë tani po i bashkohen NATO-s”.

“Nëse Burke është njohës i mirë i historisë, atëherë deklarata e tij përfaqëson një përshëndetje për dergesat e armatimeve ruse, sidomos ato Kornet, dhe një pohim shprese se kjo do të ftohte kokat e nxehta të Aleancës që po nxisin telashe në Ballkan”, ka shtuar ajo.

Serbia nisi të lavdërohej së fundi me një dërgesë të re të armëve nga Rusia megjithë frikën se investimi i madh i shtetit në ushtri mund të dërgojë në tensione të reja në rajon. Presidenti serb Aleksandar Vucic mori pjese personalisht në një stërvitje ushtarake në një bazë pranë Beogradit, ku u përfshinë edhe raketat anti-tank “Kornet” të blear së fundi nga Moska, të cilat ai i përshkroi si “ndoshta një ndër armët më të mira anti-tank në botë”!

Top Channel