Kazakistani në flakë, tre policë me kokë të prerë, dhjetra të vrarë në kryengritjen masive kundër rritjes së çmimeve (fotot)

06/01/2022 16:04

Mes zhvillimeve të fundit nga trazirat masive në Kazakistan, trupat e tre policëve të vrarë me prerje koke nga turmat ishin gjetur në rrugë.

Trupa “paqeruajtëse” ruse dhe autoblinda po dërgohen në republikën ish-sovjetike për shtypjen e protestave të nisura prej të dielës mbi rritjen e papritur të çmimeve të karburanteve dhe energjisë.

Vendi është një nga eksportuesit kryesorë të gazit e naftës në botë.

Mediat thonë se në total 13 policë janë vrarë teksa qeveria tha se prerja e kokës së tre viktimave të fundit, tregon se “trazirat kanë natyrë terroriste”.

Ende nuk dihet numri i protestuesve të vrarë, që logjikisht llogaritet të jetë më i madh se ai i policëve.

Ende nuk duhet kush ka kryer vrasjet e fundit apo nëse viktimat ishin gjallë, apo trupat e tyre u gjymtuan pas vdekjes.

Rreth 353 oficerë janë plagosur gjatë protestave të dhunshme në Almaty dhe rreth 2,000 protestues janë arrestuar.

Rusia raprotohet se ka dërguar 3,000 trupa në Kazakistan dhe rreth 500 në Bjellorusi, shkruan britanikja “The Sun”.

Në një prej videove shiheshin protestuesit që formonin një “mburojë njerëzore” jashtë një spitali pasi kundërshtonin faktin që policëve po u jepej prioritet ndaj demonstruesve të plagosur.

Në një tjetër video shokuese tregoheshin ato që dukeshin si trupa protestuesish të vrarë në trazirat e përgjakshme.

Komentet në pamje thonin: “Kufoma, trupa protestuesish. Të rinj mosha të ndryshme, janë të gjithë protestues”.

Kamera më pas afrohet te një prej trupave:

“Ky ketu ka kryer një operacion, shiheni qepjen, por ka vdekur gjithsesi”.

Gjatë natës zëdhënësi i policisë Saltanat Azirbek pranonte vrasjen e dhjetra protestuesve, sipas “The Sun”.

“Forcat ekstremiste tentuan të bastisin ndërtesat qeveritare në Almaty prandaj dhjetra sulmues u eliminuan, identitetet e tyre po përcaktohen”.

Videot tregonin gjithashtu grabitje të dyqaneve në qytetet, ku disa supermarkete ishin të zbrazura mes trazirave masive.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha mbrëmë: “Sot i bëj thirrje vendeve aleate të ndihmojnë Kazakistani për të kaluar këtë kërcënim terrorist”.

Raportime televizive flisnin për më shumë se 1,000 të plagosur gjatë dhunës,400 prej të cilëve ishin dërguar në spitale.

Top Channel