Shtatë persona janë arrestuar më 6 janar në Kosovë, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës që ende po zhvillohet lidhur me rastin “Brezovica”.
Bastisje po zhvillohen në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe nëntë lokacione të tjera në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.
“Për momentin janë shtatë të arrestuar”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shukri Jashari, kryeprokuror i Prokurorisë së Ferizajt.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Ministrisë dhe pesë qytetarë.
Zyrtarët dyshohen për marrje ryshfeti derisa qytetarët për dhënie ryshfeti.
Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.
Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.
Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.
Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.
Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar./REL/
Top Channel