Kukësi ishte skuadra që në 15 javët e zhvilluara të Abissnet Superiores mori pëlqimin e të gjithëve, duke zhvilluar një futboll argëtues, me me një skuadër që krijonte shumë raste për shënim.
Verilindorët ia dolën që ta mbyllnin në vendin e dytë vitin 2021, pesë pikë pas Tiranës kryesuese me ambicien që në pjesën e mbetur të kampionatit të kenë mundësinë për të provuar objektivin titull, një objektiv që nuk ndryshon asnjëherë tek kuksianët.
Merkatoja e janarit mund të sjellë disa ndryshime në organikën e Kukësit, pasi skuadra e drejtuar nga Longo mund të përforcojë mbrojtjen, repartin që në këtë sezon ka treguar se ka nevojë për përmirësim. Gjithçka është në dorë të drejtorit Pero Pejiç dhe trajnerit Diego Longo, të cilët kanë meritë absolute për këtë skuadër, që në verë pësoi shumë ndryshime.
Kukësi do të ketë një armë më shumë duke nisur nga ky vit, për faktin se më në fund do të kthehet në shtëpinë e tij. “Kukës Arena” është gati në përfundim dhe tashmë ka mbetur vetëm vetëm përshtatja e tapetit, faza e fundit e rikonstruksionit.
Pas më shumë se dy vitesh, Kukësi do të kthehet në qytetin e tij, ku do të tentojë të shfrytëzojë faktorin fushë në garën për titullin kampion, pasi do të ketë me vete dhe tifozërinë kuksiane. Edhe pse dëshira është e madhe që ndeshja e parë me Dinamon të luhet në këtë stadium, fjalën e fundit do ta thonë ekspertët, që po monitorojnë situatën dhe vetëm pas vendimit të tyre stadiumi i Kukësit do të jetë gati për të pritur një ndeshje zyrtare. Numërimi mbrapsht ka filluar dhe Kukësi shumë shpejt do të kthehet në shtëpinë e tij.
Top Channel