Parlamenti francez pezullon debatin e ‘green-pass’ pas komentit të Macron ‘do i tërboj’ të pavaksinuarit (fotot)

05/01/2022 16:39

Parlamenti francez ka ndaluar sot debatin për ashpersimin e ligjit të kufizimeve Covid-19 pasi deputetët opozitarë kërkuan shpjegime për gjuhën e përdorur nga presidenti Emmanuel Macron i cili tha se donte “të tërbonte” njerëzit e pavaksinuar.

Macron kishte bërë komentet e tij dashakeqe në një intervistë me të përditshmen Le Parisien ku tha gjithashtu se donte t’ua “vështirësonte aq shumë jetën njerëzve të pavaksinuarve” sa që të detyroheshin të bënin vaksinën.

Intervista e tij u publikua  pak para rinisjes së debatit për bërjen të detyrueshme vetëm vaksinimin si provë për marrjen e çertifikatës Covid-19 për të hyrë në restorante, kinema apo mjetet e transportit publik.

Por sesioni u ndërpre shpejt nga diskutimet për komentet ekstreme të presidentit.

“Një president nuk mund të thotë gjëra të tilla,” tha deputeti Christian Jacob, drejtues i opzitarëve konservatorë ‘Les Republicans’. “Edhe nëse jam në favor të vaksinës nuk mund të mbështes një tekst, objektivi i të cilit është ‘të tërbojë’ francezët.”

“A është ky objektivi yt, po apo jo? Nuk mund të debatojmë pa pasur një përgjigje të saktë për këtë.”

Një tjetër deputet opozitar i bëri jehonë komenteve të Jacob duke i kërkuar të komentonte kryeministrit Jean Castex.

Zgjedhjet presidenciale në Francë priten në prill dhe Macron duhet të llogariste se komentet e tij armiqësore për të pavaksinuarit nuk do të kapërdihen nga votuesit.

FOTO GALERI
2/3
Ligji i ri ben të detyrueshme vetëm vaksinimin si provë për marrjen e çertifikatës Covid-19, jo me testimet

Top Channel